Namazi i xhumasë nuk detyrohet për gruan, të sëmurin, udhëtarin, fëmijën dhe robin.
Nëse për namazin e xhumasë prezanton një i rritur,[14] i cili bën pjesë në grupin e atyre që me sheriat nuk iu detyrohet xhumaja (si p.sh. udhëtari, – sh.p.-), namazi i xhumasë i pranohet dhe ai nuk duhet ta falë namazin e drekës.
Urdhërohet fëmija që ta falë namazin e xhumasë kur t’i ketë shtatë vjet dhe detyrohet me forcë (rrihet) kur t’i ketë dhjetë, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili thotë. “Urdhëroni (mësoni) fëmijët tuaj ta falin namazin kur t’i kenë shtatë, e nëse nuk e falin namazin kur t’i kenë dhjetë, jini më të ashpër me ta (rrihni lehtë), dhe ndajini në shtretër (të veçantë).”
Ai që e dëgjon ezanin e xhumasë dhe është nga ata që i detyrohet falja e namazit të xhumasë, e ka për detyrë t’i përgjigjet thirrjes së ezanit për namaz dhe nuk lejohet të mungojë, përveçse me arsye.
Arsyet që e lejojnë mosprezencën në namazin e xhumasë janë po të njëjtat arsye që e lejojnë mosprezencën në namazin me xhemat, pra, xhumaja bie shkaku i të njëjtave arsye që bie namazi me xhemat, si: rënia e shiut shumë derisa rrobat të lagen dhe të bëhen qull, i ftohti i ashpër, rruga e baltosur dhe e palëvizshme, frika për veten, pasurinë dhe familjen dhe të tjera. Ai që nuk e fal xhumanë, patjetër e ka ta falë namazin e drekës